Mbledhje e Organit Këshillues pranë Prefektit

Sot me datë 26.02.2020, nën drejtimin e Prefektit të Qarkut Dibër Z. Nexhbedin Shehu, dhe me pjesëmarrjen e kryetarëve të bashkive të Qarkut Dibër, përfaqësuesve të Sektorit të Ekstensionit Bujqësor dhe të Bordit Rajonal të Kullimit, u zhvillua mbledhja e rradhës e Organit Këshillues me temë kryesore bujqësinë dhe mbarëvajtjen e sezonit të ujitjes në Qarkun e Dibrës.

Prefekti, në këtë kuadër kërkoi nga të gjithë të pranishmit të angazhohen me të gjitha kapacitetet për të arritur një bashkëpunim ndërinstitucional me qëllim krijimin e një vizioni të përbashkët për zhvillimin e bujqësisë dhe krijimin e zgjidhjeve të qëndrueshme për problemet e vaditjes, duke qenë së pari, të qartë mbi problematikat e kostot fikse dhe duke synuar më pas krijimin e fondeve rezervë që mund të përdoren për rehabilitime të vogla periodike dhe për përmirësime në skemat e ujitjes dhe kullimit. Në këtë pikëpamje Prefekti, kërkoi që të punohet me parimin e financimit efektiv dhe të qëndrueshëm për të përmirësuar çdo vit sipas mundësive rrjetin e vaditjes në pikat më kritike të tij.

Prefekti gjithashtu, duke analizuar problematikat e shkaktuara nga vonesat në tenderime gjatë viteve paraardhës, kërkoi të rritet performanca e ujitjes e cila konsiston në sigurimin e ujit për ujitje në mënyrë efiçente, në kohë, sasi dhe ndarje të barabartë. Në këtë kuadër Prefekti gjithashtu, theksoi domosdoshmërinë e funksionimit të OPU-ve, me qëllim inspektimin dhe verefikimin periodik të gjendjes funksionale të rrjetit ujitës për të identifikuar nevojat dhe për të krijuar zgjidhje të qëndrueshme e afatgjata që do t’i shërbejnë të gjithë fermerëve.