Mbledhje e Task-Forcës së Luftës Kundër Kultivimit të Bimëve Narkotike

Sot më datë 15. 05. 2019 nën drejtimin e Prefektit të Qarkut Dibër Nexhbedin Shehu u zhvillua mbledhja e Task-Forcës së Luftës Kundër Kultivimit të Bimëve Narkotike. Prefekti duke analizuar treguesit kryesorë të punës së institucioneve të angazhuara drejtpërdrejt në fushatën kundër kultivimit të bimëve narkotike në Qarkun e Dibrës, kërkoi veçanërisht nga Drejtoria Vendore e Policisë intensifikim të punës në kuadër të kësaj fushate.

Prefekti, gjithashtu duke analizuar impaktin pozitiv të të gjitha veprimeve dhe bashkëpunimeve të ndërmarra në këtë kuadër, theksoi faktin se lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike duhet të vazhdojë për të garantuar së pari arritjet e deritanishme dhe për të mos lejuar në vazhdim krijimin e kushteve të favorshme për çdo shkelës ligji që mund të synojë ushtrim të këtij aktiviteti të paligjshëm.

Prefekti, kërkoi grumbullim dhe vlerësim me përgjegjësi të çdo informacioni që mund të ndihmojë evidentimin ne fazat fillestare të çdo lloj përpjekjeje për kultivim të bimëve narkotike në Qarkun e Dibrës, si dhe të kryhet kontroll i hollësishëm i territorit dhe sidomos monitorim i specializuar i zonave të dyshuara duke mbajtur për çdo rast proces-verbale dhe prova të ndryshme justifikuese.

Prefekti, duke nënvizuar rëndësinë e luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike, kërkoi gjithashtu që në këtë kuadër, të gjitha strukturat shtetërore dhe sidomos inspektoriatet të cilat realizojnë aktivitete në terren të bashkëpunojnë me Drejtorinë Vendore të Policisë më qëllim realizimin e një procesi intensiv që do të sjellë në vazhdim rezultatet e dëshiruara.

60359830_488380728577190_8883262248223506432_n