Mbledhje me Drejtues të Institucioneve Qëndrore në Nivel Vendor

Ditën e sotme me datë 27.05.2021, nën drejtimin e Prefektit të Qarkut Dibër Z. Nexhbedin Shehu, u zhvillua në prefektidibergov mbledhja e rradhës me drejtues të Institucioneve Qëndrore në Nivel Vendor me rend dite:

Raportim mbi realizimin e detyrave të muajit maj 2021.

Prefekti, duke shprehur falenderimet për punën e bërë, bashkëpunimin e treguar dhe raportimet e kryera, kërkoi veçanërisht nga përfaqësuesi i Bashkisë Dibër, të merren masa për shtimin e kontrollit mbi territorin, në mënyrë që të evidentohen problematikat që lidhen drejtpërdrejtë me zaptimin e hapësirave publike nga bizneset dhe të merren masa e të përshpejtohen të gjitha procedurat duke mundësuar çeljen në afat të sezonit të vaditjes me qëllim përballimin e nevojave të sektorit bujqësor. Në kuadër të menaxhimit dhe zhvillimit bujqësor, Prefekti kërkoi nga Institucionet përkatëse të merren masa për përmbylljen me sukses të procesit të subvencionimit të fermerëve duke mos neglizhuar kompensimin e fermerëve për sasinë e karburantit sipas rregullave të caktuara nga institucionet përkatëse.

Prefekti, në kuadër të sigurimit të një bashkëpunimi konstruktiv ndërinstitucional dhe ofrimit në afat të shërbimeve ndaj qytetarëve dhe kryesisht ndaj shtresave në nevojë, kërkoi që të vijojë puna e përbashkët e Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror Dibër dhe Bashkisë Dibër për kryerjen në afat të mbledhjes së Këshillit të Bashkisë për miratimin e fondeve të ndihmës ekonomike dhe shpërndarjen e tyre sipas listave.

Në kuadër të hartimit dhe zbatimit të masave për përballimin e sezonit veror, Prefekti kërkoi në mënyrë të veçantë nga Drejtoria e Shërbimit Spitalor Dibër, të merren masa për mbajtjen në gadishmëri dhe funksion të plotë të shërbimit të urgjencës, autoambulancave dhe sigurimin e sasisë së oksigjenit sipas nevojave të spitalit. Gjithashtu, si një problem të rëndësishëm që kërkon vëmendje të veçantë, Prefekti klasifikoi trajtimin e mbetjeve si spitalore ashtu edhe urbane që prodhon Spitali Rajonal prefektidibergov. Për këtë rast Prefekti kërkoi të veprohet sipas rregulloreve duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë për sigurimin e hapësirave spitalore të pastra sipas standarteve.

Nga përfaqësuesi i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, Prefekti kërkoi që të vijojë mbajtja nën kontroll e rendit dhe sigurisë, vijimin e kontrolleve mbi territorin me qëllim parandalimin e shfrytëzimit pa kriter të pyjeve dhe dëmtimin nga faktorë të tjerë, mbrojtjen e mjedisit dhe parandalimin e grumbullimit pa kriter të mbetetjeve urbane në venddepozitime të pa miratuara duke shmangur kryerjen e krimeve mjedisore në territorin e Qarkut Dibër.

Si problematikë të veçantë, përveç kërkesës për marrje masash për furnizimin pa ndërprerje të popullatës me energji, Prefekti trajtoi edhe problemin e gabimeve në procesin e faturimit sipas një ankese që Bashkia Dibër ka kryer duke pretenduar se është mbifaturuar. Për këtë rast Prefekti kërkoi nga përfaqësuesi i OSHEE-së të merren masa për analizimin e të dhënave të referuara dhe sqarimin e rastit në mënyrë që të shmangen keqkuptime të kësaj natyre.

Prefekti, kërkoi që të gjitha intitucionet, dhe veçanërisht ato që në natyrën e tyre të punës kanë kontakte të drejtëpërdrejta me qytetarët, t’i japin përparësi rritjes së cilësisë së shërbimit ndaj tyre duke shtuar angazhimet, veçanërisht në këtë sezon veror, për ofrim të shërbimeve ndaj turistëve ose grupeve të vizitorëve që mund të zgjedhin të vizitojnë Qarkun e Dibrës. Në këtë kuadër Prefekti kërkoi që nga institucionet përkatëse të merren masa për ushtrim të inspektimeve dhe kontrolleve të fokusuara mbi higjienën, sigurinë ushqimore dhe cilësinë e shërbimeve të hotelerisë në subjekte të kësaj natyre.

Në mbyllje të takimit, Prefekti, duke vënë theksin tek rëndësia e trajtimit të kërkesë-ankesave të shtetasve deri në zgjidhjen e tyre, kërkoi në mënyrë të veçantë që të mos neglizhohet kurrsesi dhënia në afat e përgjigjieve zyrtare për çdo kërkesë-ankesë të drejtpërdrejtë të qytetarit ose të referuar nga një institucion tjetër.