Prefekti i Qarkut Dibër mbledh Task-Forcën Rajonale Anti-Covid

Ditën e sotme me datë 09.02.2021, Prefekti i Qarkut Dibër Z. Nexhbedin Shehu, mblodhi Task-Forcën Rajonale të ngritur për zbatimin e masave dhe protokolleve shëndetësore anti-Covid në Qarkun Dibër.

Prefekti, duke u bazuar në situatën e krijuar nga prania e virusit Covid-19 dhe në domosdoshmërinë e zbatimit të masave anti-covid për shkak të ritmit të përhapjes së sëmundjes kërkoi nga anëtarët e Task-Forcës të rishikohen dhe ristrukturohen grafikët e shërbimit dhe kontrollit në terren duke mbajtur parasysh se përtej këshillimeve duhet të merren edhe masa administrative për të parandaluar çdo grumbullim pa kriter.

Prefekti kërkoi që në këtë proces, përparësi t’i jepet evidentimit dhe kontrollimit të zonave të riskut duke mos shfaqur tolerancë përsa i përket zbatueshmërisë së masave dhe protokolleve anti-Covid, sidomos në ambjentet e bilardove, kalçetove dhe lokaleve ku zhvillohen ceremoni të ndryshme, pasi këtu shfaqet mundësia më e madhe për grumbullime të personave dhe përhapje të sëmundjes.

Sipas Prefektit gjithashtu, raportimi duhet të kryhet çdo ditë, në mënyrë të strukturuar dhe të detajuar duke përfshirë cilësimet e sakta për çdo subjekt të kontrolluar, çdo konstatim të kryer dhe çdo masë të aplikuar. Prefekti kërkoi nga përfaqësues të Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor që krahas punës së përbashkët me Task-Forcën, të vazhdojnë çdo ditë ushtrimin e kontrolleve për zbatimin e masave sipas udhëzimeve dhe urdhëresave të marra. Gjithashtu sipas Prefektit, duhet të kryhet për çdo javë një analizë e detajuar e punës së Task-Forcës me qëllim evidentimin e avantazheve, disavantazheve dhe konkludimin e zgjidhjeve të përbashkëta për çdo rast.

Në kuadër të kryerjes me efektivitet të misionit të Task-Forcës, Prefekti kërkoi edhe njëherë, që të vijojë bashkëpunimi dhe bahkërendimi ndërinstitucional i punës dhe të mos shmangen kurrsesi urdhërat dhe udhëzimet e dhëna, duke shtuar se puna e Task-Forcës do të monitorohet çdo ditë nga Institucioni i Prefektit.