Prefekti i Qarkut Dibër mbledh Task-Forcën Rajonale Anti-Covid

Ditën e sotme me datë 03.11.2020, Prefekti i Qarkut Dibër Z. Nexhbedin Shehu, mblodhi Task-Forcën Rajonale të ngritur për zbatimin e masave dhe protokolleve shëndetësore anti-Covid në Qarkun Dibër.

Prefekti, duke u bazuar në situatën e krijuar nga prania e virusit Covid-19 dhe në domosdoshmërinë e zbatimit të masave anti-covid, kërkoi nga anëtarët e Task-Forcës të rishikohen dhe ristrukturohen grafikët e shërbimit dhe kontrollit në terren duke mbajtur parasysh skemën 2+1 (dy inspektorë dhe një efektiv policie) në krijimin e këtyre grupeve.

Prefekti kërkoi që në këtë proces, përparësi t’i jepet evidentimit dhe kontrollimit të zonave të riskut duke mos shfaqur tolerancë përsa i përket zbatueshmërisë së masave dhe protokolleve anti-Covid. Sipas tij, raportimi duhet të kryhet çdo ditë, në mënyrë të strukturuar dhe të detajuar duke përfshirë cilësimet e sakta për çdo subjekt të kontrolluar, çdo konstatim të kryer dhe çdo masë të aplikuar. Prefekti kërkoi nga përfaqësues të Policisë Vendore që krahas punës së përbashkët me Task-Forcën, të vazhdojnë çdo ditë ushtrimin e kontrolleve për zbatimin e masave sipas udhëzimeve dhe urdhëresave të marra.

Në kuadër të kryerjes me efektivitet të misionit të Task-Forcës, Prefekti kërkoi edhe njëherë, që të vijojë bashkëpunimi ndër institucional dhe të mos shmangen kurrsesi urdhërat dhe udhëzimet e dhëna, duke shtuar se puna e Task-Forcës do të monitorohet çdo ditë nga Institucioni i Prefektit.