Prefekti i Qarkut Dibër Z. Nexhbedin Shehu, priti në takim përfaqësuesin e PPNEA-s.

Ditën e sotme me datë 08.01.2021, Prefekti i Qarkut Dibër Z. Nexhbedin Shehu, priti në takim përfaqësuesin e Qendrës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), që si qëllim të sajin ka ruajtjen dhe mbrojtjen e faunës dhe resurseve natyrore.

Qëllimi i vizitës së përfaqësuesve të kësaj organizate, e cila edhe më parë ka punuar për vlerësimin e vlerave të biodiversitetit për shpalljen “Park Natyror” të vargmalit Korab-Koritnik, ishte arritja e një bashkëpunimi me Institucionin e Prefektit për realizimin e një aplikimi të përbashkët në kuadër të thirrjeve për financim të Bashkimit Evropian nëpërmjet mekanizmit të fondeve IPA (Instrument for Pre-Accession Assistance).

Sipas tyre, bashkëpunimi me Institucionin e Prefektit, do të jetë pjesë e një partneriteti më të gjerë me organizatën homologe dhe institucione shtetërore që ushtrojnë veprimtari në zonën e Mavrovë-Rostusha të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Bashkëpunimi dhe partneriteri do të funksionojë në kuadër të aplikimit me projekt për financime të BE-së, me qëllim zgjerimin e veprimtarisë së ruajtjes dhe mbrojtjes së resurseve dhe biodiversitetit në Parkun Natyror Korab- Koritnik.

Prefekti nga ana e tij, ndërsa vlerësoi si pozitive këtë ndërmarrje, ofroi bashkëpunimin, duke siguruar asistencë organizative me qëllim realizimin e një bashkëpunimi të gjerë ndërinstitucional dhe koordinim të vazhdueshëm të procesit të mbledhjes së informacionit të nevojshëm për aplikimin, pasi sipas tij përfitimet nga projekte të tilla janë të rëndësishme për mbrojtjen afatgjatë të biodiversitetit të zonës Korab-Koritnik.