Takim informues me anëtarët e Komitetit Rajonal dhe Tryezës Teknike Antitrafik të Qarkut Dibër

Ditën e sotme me datë 23.10.2020, nën drejtimin e Prefektit të Qarkut Dibër Z. Nexhbedin Shehu, në ambientet e Institucionit të Prefektit, u zhvillua një takim informues me anëtarët e Komitetit Rajonal dhe Tryezës Teknike Antitrafik të Qarkut Dibër.  Në këtë takim morrën pjesë përveç anëtarëve të Komitetit dhe Tryezës Teknike, edhe përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Shëndetësisë dhe prezencës së International Organisation for Migration (IOM) në Shqipëri.

Takimi, sipas një axhende të paracaktuar, u fokusua në informimin e anëtarëve të Komitetit Rajonal dhe Tryezës Teknike Antitrafik, mbi rëndësinë, përmbajtjen, efektin e fushatës ndërgjegjësuese dhe mënyrën e përfshirjes së këtyre dy strukturave rajonale në këtë fushatë. Gjithashtu, u nda informacion mbi rëndësinë dhe mënyrën e përfshirjes në fushatë të strukturave arsimore, shëndetësore dhe të Policisë së Shtetit me qëllim zgjerimin e efektit të fushatës ndërgjegjësuese dhe parandalimin e migracionit të pasigurt nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Në takim u theksua roli i shkollës në parandalimin e trafikimit dhe migracionit të parregullt, duke e zgjeruar diskutimin edhe mbi nevojën për krijimin e mundësive gjithëpërfshirëse dhe fuqizuese për kategori të veçanta siç janë gratë dhe vajzat. Në këtë kuadër u theksua se, hartimi dhe zbatimi i projekteve që adresojnë çështjet sociale do të ndihmojë kategoritë më të mundshme për tu prekur të mos bien pre e këtyre fenomeneve të paligjshme.

Prefekti, duke falenderuar të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen në takim dhe informacionet e vlefshme, kërkoi që të vijohet puna me të njëjtin ritëm dhe të arrihet një bashkëpunim i frytshëm ndërinstitucional, me qëllim evidentimin e rasteve, menaxhimin e tyre dhe mbi të gjitha parandalimin e krijimit të rasteve të reja me mënyra mbështetëse për të gjitha kategoritë në nevojë.