Zhvillohet mbledhja e rradhës e Organit Këshillues pranë Prefektit

Ditën e sotme me dt. 22.07.2021 nën drejtimin e Prefektit të Qarkut Dibër Z. Nexhbedin Shehu u zhvillua mbledhja e rradhës e Organit Këshillues pranë Prefektit.

Fokusi i këtij takimi ishte kryerja e një analize të detajuar mbi punën e bërë nga institucionet përkatëse për eleminimin e punës informale nëpërmjet zbatimit të legjislacionit në fuqi.

Sipas informacioneve të dhëna nga Inspektoriati Rajonal i Punës, për raste të evidentuara janë marrë masa të menjëhërshme për futjen e këtyre të të punësuarve në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore duke bërë të mundur zbatimin e ligjit sipas specifikave të çdo rasti. Në zbatim të ligjit nr.9634 dt. 30.10.2006, Inspektoriati Shtetëror i Punës, vazhdon punën konkrete për evidentimin e subjekteve apo punëmarrësve ilegalë duke bërë të mundur vazhdimin e luftës kundër informalitetit dhe evazionit fiskal.

Prefekti nga ana e tij, kërkoi që në këtë kuadër të vazhdojë zbatimi i masave konkrete me qëllim mënjanimin e informalitetit dhe reduktimin e punësimit informal në të gjithë sektorët e ekonomisë, duke e parë si faktor që ka ndikim negativ në procesin e plotësimit të standarteve të punës, duke patur parasysh gjithashtu se, pasojat e këtij fenomeni përveç të tjerave, ndikojnë negativisht në funksionimin e skemës së sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe penalizimin e të punësuarve në mënyrë informale.

Prefekti gjithashtu, theksoi se, duhet nxitur rritja e nivelit të bashkëpunimit ndërinstitucional me qëllim kryerjen e kontrolleve evidentuese, shkëmbimin e informacionit dhe si rezultat eleminimin e punës informale. Për të eleminuar informalitetin në punë, DRT-rë, Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore dhe Institucionet e tjera përkatëse Qendrore në Nivel Vendor, prioritet të tyre duhet të kenë marrjen e masave për realizimin e një bashkëpunimi me Inspektoriatin Rajonal të Punës duke ndihmuar procesin nëpërmjet inspektorëve të terrenit të cilët gjatë punës së tyre mund të evidentojnë dhe të raportojnë raste të punës informale.

Sipas Prefektit, Drejtoria Rajonale Tatimore përveç praktikave të tjera (penaliteteve etj.), duhet të ndërmarrë një veprimtari nxitëse dhe ndërgjegjësuese për deklarim vullnetar të fuqisë punëtore nga subjekte të ndryshme që ushtrojnë veprimtari në qark, duke përfshirë në këtë fushatë sipas nevojës edhe institucione të të tjera të cilat mund të mbështesin këtë proces.