Mbledhja e Komitetit të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura Mjedisore

Ditën e sotme me datë 24. 05. 2023, nën drejtimin e Prefektit të Qarkut Dibër Z. Nexhbedin Shehu, u zhvillua në Ulëz të Bashkisë Mat mbledhja e Komitetit të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura Mjedisore i krijuar sipas VKM-së nr. 593 datë 09. 10. 2018 “Për përbërjen, funksionet, detyrat dhe përgjegjësitë e Komiteteve të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura Mjedisore”.

Prefekti në cilësinë e Kryetarit të Komitetit, ndërsa prezantoi qëllimin e takimit të organizuar në Parkun Natyror të Ulzës, sqaroi funksionet, detyrat dhe përgjegjësitë me të cilat ngarkohet çdo anëtar në bazë të VKM-së së sipërcituar dhe kërkoi nga të pranishmit të shprehin  mendimet e tyre mbi planet e menaxhimit të këtij parku natyror si dhe të diskutojnë mbi paketën e parashikuar të investimeve për këtë zonë duke mbajtur parasysh nevojën dhe domosdoshmërinë e realizimit të projekteve infrastrukturore të harmonizuara e miqësore ndaj mjedisit dhe favorizimin e elementeve turistikë nëpërmjet promovimit të vazhdueshëm të tyre me mënyrat dhe rrugët e reja të komunikimit me publikun.

Prefekti duke sjellë në vëmendje ndryshimin e statusit dhe të sipërfaqjes së ekosistemit natyror “Liqeni i Ulzës” nga “Park Natyror Bashkiak” në “Park Natyror” në bazë të VKM-së nr. 60 datë 26.0.2022, kërkoi përshpejtimin e kalimit të kontratave të të tre HEC-eve që operojnë në këtë zonë nga bashkia përkatëse pranë Administratës së Zonave të Mbrojtura në mënyrë që të ardhurat e gjeneruara të përdoren për mirëmenaxhimin e parkut natyror.

Prefekti gjithashtu, duke patur parasysh rëndësinë dhe veçantinë e florës, faunës, mjediseve të lagëta e tokësore të Parkut Natyror të Ulzës, kërkoi bashkëpunim të ngushtë të Administratës së Zonave të Mbrojtura me Sektorin e Emergjencave Civile në mënyrë që të bëhet i mundur parandalimi i dëmtimit të mjedisit nga zjarret dhe erozioni. Në këtë kuadër gjithashtu u kërkua vazhdimi i fushatave vullnetare të pastrimit përveç angazhimit të përditshëm për menaxhimin e mbetjeve urbane dhe shmangien e grumbullimeve pa kriter të tyre në venddepozitime të pa miratuara nga organet kompetetnte.

Prefekti në përfundim ndërsa falenderoi të gjithë të pranishmit për punën e bërë dhe bashkëpunimin e treguar, kërkoi vëmendje të shtuar dhe bashkëpunim të vazhdueshëm të Administratës së Zonave të Mbrojtura Mjedisore me Policinë e Shtetit në mënyrë që të parandalohet kultivimi i bimëve narkotike brenda sipërfaqjes së Parkut Natyror Ulëz.