Mbledhje e Komitetit Rajonal të Turizmit

Ditën e sotme me datë 17.11.2022, nën drejtimin e Prefektit të Qarkut Dibër Z. Nexhbedin Shehu dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore e të Institucioneve Qëndrore në Nivel Vendor (anëtarë të Komitetit Rajonal të Turizmit) u zhvillua mbledhja e fundit për vitin 2022 e Komitetit Rajonal të Turizmit, në të cilën u diskutua mbi ecurinë e sezonit turistik veror, rezultatet dhe masat e marra për sezonin turistik dimëror.

Prefekti, duke vlerësuar turizmin si një ndër sektorët më prioritarë të zhvillimit ekonomik të vendit, kërkoi nga përfaqësuesit e Organeve të Vetëqeverisjes Vendore, nxjerrjen e përfundimeve nga një analizë e kryer në fund të një viti pune si dhe shtimin e angazhimit cilësor dhe rritjen e vëmendjes në drejtim të hartimit të projekteve, planeve të masave dhe zhvillimit të qëndrueshëm të ideve, duke i hapur rrugë përmirësimit të imazhit turistik të Qarkut Dibër në përgjithësi dhe të çdo bashkie në veçanti.

Prefekti Nexhbedin Shehu, në mënyrë të veçantë për secilën bashki, në bazë të veçorive nga të cilat ato karakterizohen kërkoi që të analizohen të dhënat statistikore mbi numrin e saktë të turistëve që kanë vizituar qarkun tonë këtë sezon, të evidentohen problematikat e mangësitë e hasura dhe në vijim të  punohet intensivisht për përmirësimin e infrastrukturës, menaxhimin e mbetjeve, furnizmin e pandërprerë me ujë dhe energji kryesisht të fshatrave që janë përzgjedhur si pjesë e projektit “Njëqind Fshatra”, duke i dhënë përparësi zhvillimi të agroturizmit si një nga format më të përshtatshme me natyrën dhe relievin e qarkut tonë.

Për të përmbledhur qëllimin e tij, Prefekti theksoi se zhvillimi i turizmit përtej rëndësisë që ka, nuk konsiston vetëm tek bashkëpunimi me agjensi dhe organizata të huaja, gjë e cila sjell vetëm zhvillim spontan të turizmit por konsiston në zhvillimin e qëndrueshëm dhe gradual të ideve e projekteve të qarta dhe në punën me përgjegjesi e vizion nga bashkitë të cilat sipas tij kanë peshën kryesore në këtë proces.