Prefekti ndjek analizen vjetore te veprimtarise se Zyres Vendore te Punesimit Bulqize

Ditën e sotme me datë 03.02.2023, Prefekti i Qarkut Dibër Z. Nexhbedin Shehu mori pjesë në mbledhjen e analizës vjetore të veprimtarisë së Zyrës Vendore të Punësimit Bulqizë.

Prefekti duke falenderuar stafin e AKPA-s për bashkëpunimin e treguar gjatë vitit për trajtimin e kërkesave për punësim të ardhura në adresë të tij nga qytetarë të ndryshëm, vlerësoi pozitivisht angazhimin e tyre për realizimin në masën 100% të planit vjetor.

Në kuadër të vendosjes së objektivave për vitin 2023, Prefekti kërkoi që të punohet me të njëjtat ritme për garantimin e nivelit të cilësisë së shërbimeve që ofron AKPA në fushën e punësimit, vetëpunësimit dhe formimit profesional, si mënyrë e aplikimit të programeve aktive të tregut të punës duke mbështetur punëkërkuesit e papunë për t’u bërë pjesë e tregut të punës në mënyrë që të rritet produktiviteti e të ardhurat dhe të përmirësohet funksionimi i të gjithë skemës.

Prefekti gjithashtu si pikë të rëndësishme trajtoi këshillimin dhe orientimin për karrierë, punësim e profesion të personave të rregjistruar si punëkërkues të papunë pranë kësaj zyre vendore, ndërsa kërkoi vëmëndje për aftësimin dhe rehabilitimin për punë të personave me aftësi të kufizuar nëse paraqitet nevoja dhe ndërmjetësimin për punësim duke garantuar një bashkëpunim me sektorin privat i cili aktualisht ka një rol të rëndësishëm në tregun e punës.