
Më datë 15 qershor 2026, në ambientet e Institucionit të Prefektit të Qarkut Dibër, nën drejtimin e Prefektit të Qarkut, u zhvillua mbledhja e Task-Forcës Rajonale Ndërinstitucionale për Sezonin Turistik Veror 2026.
Gjatë takimit, përfaqësues të bashkive Dibër, Bulqizë, Mat dhe Klos, si dhe institucioneve përgjegjëse në nivel vendor e qendror, raportuan mbi masat e marra për mbarëvajtjen e sezonit turistik, gjendjen e infrastrukturës, menaxhimin e mbetjeve, sigurinë publike, shërbimet shëndetësore, kontrollin ushqimor, si dhe gatishmërinë e strukturave të emergjencave civile.
Në diskutime u evidentuan zhvillimet pozitive të turizmit në qark, rritja e numrit të vizitorëve dhe promovimi i destinacioneve turistike, ndërsa u trajtuan edhe problematikat që kërkojnë ndërhyrje të mëtejshme, si menaxhimi i mbetjeve, licencimi i shërbimeve turistike, përmirësimi i informimit për vizitorët dhe garantimi i standardeve të sigurisë.
Prefekti kërkoi angazhim të shtuar nga të gjitha institucionet për zbatimin e planit të masave, koordinim të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe reagim të shpejtë ndaj çdo problematike që mund të ndikojë në ecurinë e sezonit turistik.
Në përfundim, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve për të garantuar një sezon turistik të sigurt, të pastër dhe sa më cilësor për qytetarët dhe vizitorët e Qarkut Dibër.