📅 10 Sep 2026 📁 Uncategorized

Mbledhje e Organit Këshillues mbi raportimin e vitit te ri arsimor 2026-2027

Sot, më datë 10 shtator 2026, në ambientet e Institucionit të Prefektit të Qarkut Dibër, u zhvillua mbledhja e Organit Këshillues, me fokus raportimin mbi masat e marra për fillimin e vitit arsimor 2026–2027, nën drejtimin e Prefektit të Qarkut Dibër.

Gjatë mbledhjes u raportua mbi përgatitjet e kryera për fillimin e vitit të ri shkollor, si dhe mbi problematikat e evidentuara në institucionet arsimore. Diskutimet u përqendruan në çështje që lidhen me kushtet në shkolla, furnizimin me ujë, energjinë elektrike, ngrohjen, sigurinë e nxënësve, transportin dhe nevojën për ndërhyrje në infrastrukturën shkollore.

Vëmendje e veçantë iu kushtua sigurisë në ambientet shkollore dhe përreth tyre, si dhe nevojës për marrjen e masave dhe kontrolleve të vazhdueshme për garantimin e kushteve të nevojshme për nxënësit.

Në përfundim të mbledhjes, Prefekti kërkoi nga të gjitha institucionet përgjegjëse që të vijojnë me përgjegjësi ndjekjen e detyrave të tyre dhe të marrin në kohë masat e nevojshme për adresimin e problematikave të evidentuara. U theksua rëndësia e angazhimit dhe koordinimit ndërmjet strukturave përgjegjëse, me qëllim krijimin e kushteve të nevojshme dhe garantimin e një fillimi sa më të mbarë dhe të sigurt të vitit të ri arsimor 2026–2027 në të gjithë territorin e Qarkut Dibër.