
Mbledhje e mbajtur më datë 18 qershor 2026 në ambientet e Institucionit të Prefektit të Qarkut Dibër, nën drejtimin e Prefektit z. Nexhbedin Shehu, me temë: “Koordinimi dhe bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet Forcave të Armatosura, autoriteteve vendore dhe komunitetit civil”.
Në takim morën pjesë përfaqësues të Drejtorisë së Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak të Forcave të Armatosura, Qendrës së Personel-Rekrutimit të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe arsimore të qarkut.
Gjatë mbledhjes u diskutua mbi forcimin e koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet Forcave të Armatosura dhe autoriteteve vendore, me fokus mbështetjen e strukturave civile në menaxhimin e situatave emergjente, mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e aktiviteteve në shërbim të komunitetit dhe rritjen e ndërgjegjësimit të të rinjve për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura. Gjithashtu, u trajtua rëndësia e zhvillimit të forcave rezerviste dhe aktivizimit të tyre në raste emergjencash apo nevojash të veçanta.
Pjesëmarrësit evidentuan nevojën për zgjerimin e bashkëpunimit në nivel vendor përmes organizimit të takimeve dhe aktiviteteve të përbashkëta me komunitetin, si dhe harmonizimin e planeve për zhvillimin e veprimtarive me të rinjtë.
Në përfundim të takimit, Prefekti theksoi se bashkëpunimi me strukturat e Forcave të Armatosura dhe institucionet përgjegjëse do të vijojë të forcohet, duke garantuar mbështetje dhe koordinim të plotë në funksion të interesit publik dhe sigurisë së komunitetit.