
Mbledhje e mbajtur më datë 26 qershor 2026, në ambientet e Institucionit të Prefektit të Qarkut Dibër, nën drejtimin e Prefektit, me temë: “Identifikimi dhe minimizimi i problemeve të familjeve në varfëri ekstreme dhe forcimi i bashkëpunimit institucional”.
Në Institucionin e Prefektit të Qarkut Dibër u zhvillua mbledhja e Organit Këshillues, me fokus analizimin e situatës së familjeve në varfëri ekstreme, evidentimin e problematikave kryesore dhe koordinimin e veprimeve ndërmjet institucioneve përgjegjëse.
Gjatë mbledhjes u prezantuan të dhëna mbi numrin e familjeve përfituese të ndihmës ekonomike në bashkitë e qarkut, si dhe u diskutuan rastet sociale që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme. Përfaqësuesit e institucioneve paraqitën masat e ndërmarra deri më tani, sfidat e hasura në terren dhe mundësitë për përmirësimin e mbështetjes sociale, përfshirë aksesin në shërbime, punësim, strehim dhe programe rehabilituese.
Prefekti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional, identifikimit në kohë të familjeve në nevojë dhe koordinimit të veprimeve konkrete për t’u garantuar atyre mbështetje sa më efektive dhe të qëndrueshme. Në përfundim të mbledhjes u kërkua vijimi i monitorimit të rasteve të evidentuara dhe forcimi i mekanizmave të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve qendrore dhe vendore, me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës për familjet më në nevojë.