📅 18 Jun 2026 📁 Uncategorized

Mbledhje e Tryezës Rajonale Kundër Trafikimit të Personave

Më datë 17 qershor 2026, në ambientet e Institucionit të Prefektit të Qarkut Dibër, nën drejtimin e Sekretares së Përgjithshme, znj. Donika Hysenaj, u zhvillua mbledhja e radhës e Tryezës Rajonale Kundër Trafikimit të Personave.

Gjatë mbledhjes, përfaqësuesit e institucioneve pjesëmarrëse paraqitën informacion mbi rastet e trajtuara, masat e ndërmarra dhe bashkëpunimin ndërinstitucional në fushën e parandalimit dhe identifikimit të rasteve të trafikimit. U raportua se gjatë kësaj periudhe nuk janë evidentuar raste të trafikimit të personave në qark, ndërsa vëmendje e veçantë iu kushtua rasteve të dhunës në familje, mbrojtjes së fëmijëve dhe kategorive në nevojë.

Në diskutime u theksua rëndësia e forcimit të mekanizmave lokalë të referimit, rritjes së ndërgjegjësimit në komunitet dhe vijimit të aktiviteteve informuese në shkolla dhe institucione, me qëllim parandalimin e fenomeneve që mund të çojnë në trafikim apo shfrytëzim të personave.

Në përfundim, u vlerësua bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe u kërkua vazhdimi i angazhimit të përbashkët për garantimin e mbrojtjes së grupeve vulnerabël dhe forcimin e mekanizmave të parandalimit në territorin e Qarkut Dibër.