Vijon aktive vatra e zjarrit në Parkun Kombëtar të Lurës, në zonën e Majës së Ruveshit, mbi Borie Lurë. Për shkak të temperaturave të larta dhe erës, zjarri ka shfaqur zhvillim në drejtim të Gurë-Lurës dhe Fushë-Lurës, në zona pyjore me pisha.
Situata në drejtim të banesave të Borie Lurës është neutralizuar dhe aktualisht nuk paraqet rrezik për banesat.
Në terren vijon operacioni intensiv i ndërhyrjes dhe monitorimit. Në pikat më të nxehta është ndërhyrë edhe nga ajri me 2 avionë Air Tractor, ndërsa në disa segmente po hapen transhe dhe po krijohen breza mbrojtës për të kufizuar përhapjen e zjarrit.
Aktualisht vlerësohet se rreth gjysma e perimetrit është thuajse nën kontroll, ndërsa sipërfaqja e përshkuar nga zjarri është rreth 30 hektarë. Terreni i thepisur malor, rënia e gurëve dhe trungjeve të djegura vijojnë ta vështirësojnë ndërhyrjen.
Në operacion janë angazhuar rreth 220 forca nga strukturat e Policisë së Shtetit, MZSH, FA, ADZM, shërbimit pyjor, Bashkisë Dibër, AKMC, Emergjencave Civile dhe forcat vullnetare, si dhe 2 avionë Air Tractor.
Në terren ndodhen Prefekti i Qarkut Dibër, Kryetari i Bashkisë Dibër, drejtues të AKMC-së dhe strukturave të Mbrojtjes Civile, të cilët po koordinojnë operacionin.
Operacioni vijon me intensitet të lartë, me prioritet mbrojtjen e banesave, kufizimin e përhapjes së zjarrit dhe vendosjen e plotë të situatës nën kontroll.
