Mbledhje e Komitetit Rajonal Antitrafik të Qarkut Dibër

Ditën e sotme me datë 24.03.2022, nën drejtimin e Prefektit të Qarkut Dibër Z. Nexhbedin Shehu, u zhvillua mbledhja e Komitetit Rajonal Kundër Trafikimit të Personave.

Takimi, sipas një axhende të paracaktuar, u fokusua në informimin mbi punën e bërë nga Tryeza Teknike dhe Nënkomitetet për periudhën janar-mars 2022, si dhe rëndësinë, përmbajtjen, efektin e fushatës ndërgjegjësuese dhe mënyrën e përfshirjes së këtyre dy strukturave rajonale në këtë fushatë. Gjithashtu, u nda informacion mbi rëndësinë dhe mënyrën e përfshirjes në luftën antitrafik të strukturave arsimore, shëndetësore dhe të Policisë së Shtetit me qëllim zgjerimin e efektit të punës së përbashkët dhe parandalimin e migracionit të pasigurt nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Në takim u theksua roli i shkollës në parandalimin e trafikimit dhe migracionit të parregullt, duke e zgjeruar diskutimin edhe mbi nevojën për krijimin e mundësive gjithëpërfshirëse dhe fuqizuese për kategori të veçanta siç janë gratë dhe vajzat. Në këtë kuadër u theksua se, hartimi dhe zbatimi i projekteve që adresojnë çështjet sociale do të ndihmojë kategoritë më të mundshme për tu prekur të mos bien pre e këtyre fenomeneve të paligjshme.

Gjithashtu anëtarët e Komitetit Rajonal Antitrafik në mënyrë unanime miratuan Plan-Veprimin dhe Tematikën e Komitetit dhe Tryezës Antitrafik për vitin 2022.

Prefekti, duke falenderuar të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen në takim dhe informacionet e vlefshme, kërkoi që të vijohet puna me të njëjtin ritëm dhe të arrihet një bashkëpunim i frytshëm ndërinstitucional, me qëllim evidentimin e rasteve, menaxhimin e tyre dhe mbi të gjitha parandalimin e krijimit të rasteve të reja me mënyra mbështetëse për të gjitha kategoritë në nevojë.