Zhvillohet takimi rajonal me temë: “Parandalimi dhe goditja e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike”.

Ditën e sotme me datë 25.02.2022 nën drejtimin e Prefektit të Qarkut Dibër Z. Nexhbedin Shehu, dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, u organizua dhe u zhvillua Takimi Rajonal me tematikë: “Parandalimi dhe goditja e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike”.

Në këtë takim të zgjeruar, morrën pjesë dhe raportuan, Drejtuesi i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, Shefi i Policisë së Kufirit, Shefi i Policisë Ushtarake, përfaqësuesi i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, drejtuesit e  njësive të vetëqeverisjes vendore, si dhe drejtuesit e institucioneve qëndrore në nivel vendor.

Prefekti, në cilësinë edhe të Kryetarit të Task-Forcës Rajonale, duke analizuar punën e bërë në drejtim të parandalimit të kultivimit të bimëve narkotike, theksoi rëndësinë që ka në vetvete ky proces dhe vazhdimësia e tij, ndërsa kërkoi nga të pranishmit që në cilësinë e personave përgjegjës për zbatimin e planit të masave, të kenë parasysh se parandalimi i kultivimit të bimëve narkotike është një ndër prioritetet më kryesore të punës së Policisë së Shtetit dhe rrjedhimisht duhet të jetë prioritet edhe për Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër dhe anëtarët e tjerë të Task-Forcës Rajonale në mënyrë që të arrihet objektivi i përbashkët për eleminimin e këtij fenomeni.

Prefekti kërkoi gjithashtu, që në kuadër të parandalimit të kultivimit të bimëve narkotike, të mbahen nën kontroll elementët me tendencë kriminale në këtë fushë, të kryhet një proces sensibilizimi i popullatës dhe kryesisht i nxënësve të shkollave, duke ushtruar gjithashtu kontroll të pandërprerë të zonave të evidentuara si problematike dhe zonave me pozicione të përshtatshme për të ndihmuar procesin e kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike dhe të mos mungojë bashkëpunimi dhe mbështetja e vazhdueshme institucionale e të gjitha Institucioneve Qëndrore në Nivel Vendor dhe Organeve të Vetëqeverisjes Vendore për Policinë e Shtetit në këtë mision dhe angazhim tejet të rëndësishëm.